Egbo: Nëse Tirana kap Europën është arritje e madhe. Ju shpjegoj tre gabimet e Vllaznisë

Emanuel Egbo është i bindur se Tirana mund të jetë ende në lojë për çdo objektiv për sa kohë që e thotë matematika. Por ish-trajneri i bardhebluve, në “Rubrika Sportive”, deklaroi se ekipi duhej ta cilësonte sukses nëse arrinte Europën pas një sezoni të tile. Ai foli edhe për Vllazninë, duke evidentuar tre problemet që sipas tij kishin çuar në krizën e kuqebluve.

“Nuk mund të them se Tirana është larg se ka 15 ndeshje, ka shumë pikë në lojë. Çdo gjë është e mundur në futboll, unë nuk dorëzohem kurrë. Të jem unë do besoja deri në fund, derisa është matematikisht e mundur, unë do të shpresoja që mund t’ia dal. Nëse Tirana arrin të kualifikohet në Europë, është arritje e madhe, duke pasur parasysh problematikat që ka pasur. Të gjitha e meritojnë të dalin kampion.

E meritoi Tirana këtë fitore, duke pasur parasysh si shkoi loja. Vllaznia është në një situatë shumë delikate për momentin. Përveç problemit teknik e taktik, them se kanë më shumë me gjëra që nuk kanë të bëjnë me atë që ndodh brenda fushës.

E para, nuk e di a mban mend njeri deri në momentin që nuk flitej ndoshta nuk shkojnë në Europë se kanë borxhë, gjithçka ishte mirë. Lojtarët duan qetësi, kur luftojnë për titull, në momentin që fut diskutim a shkojmë apo jo, lojtarët merziten, ndjejnë presionin.

E dyta, në momentin që është duke fituar, edhe Tirana e bëri atë gabim, në çdo javë lojtarët ishin këtu në studio apo Facebook, duke u marrë me media. Ajo shpërndan përqendrimin në ekip, nuk duhet të jenë fare të pranishëm. Duhet të jenë të qetë me këmbë në tokë, duke marrë ndeshjet një nga një.

E treta është që ata kanë filluar të merren me ekipet e tjera. Një nga gabimet kryesore. Lojtarët i dëgjoj duke thënë po bëhet aleancë kundër nesh. Ata duhet të përqendrohen te ndeshjet e veta. Je 9 pikë para, çfarë lidhje ka Kastrioti që u mund me një e të merr ty pikë? Nëse do të fitosh, duhet ta kesh parasysh që do të luftosh me aleancat. Kështu fitohet kampionati dhe kjo e ka dëmtuar më shumë”, tha Egbo. /vipsport.al/