Dy talentet e ftuar nga Cungu, Shani e Hysenagolli: Nder që përfaqësojmë ngjyrat kuqezi, synojmë më të mirën

Me Armando Cungun si trajner, Kombëtarja U-19 është duke u përgatitur në grumbullimin në “Tropikal”, ndërsa duket se në radhët e ekipit ka lojtarë cilësorë, madje edhe nga ata që luajnë jashtë. Dy prej tyre janë edhe Kejslin Shani, mbrojtësi që po luan me Lokomotivën e Zagrebit, ndërsa tjetri është 19-vjeçari Henry Hysenagolli që luan në radhët e skuadrës së Legnasit në Spanjë.

Në një prononcim për fshf.org, fillimisht ka folur Kejslin Shani i cili ka pohuar se: “Në këtë grumbullim ndihem shumë mirë, jam shumë i kënaqur që përfaqësoj ngjyrat e kombit tim. Do japim maksimumin të gjithë. Grupi është shumë i mirë.”

“Besoj që të gjithë çunat janë elementë të mirë përderisa janë këtu, që përfaqësojnë ngjyrat e kombit. Dhe besoj që të gjithë do bëjmë shumë mirë përpara në karrierën tonë tek ekipet tona përkatëse. Me trajnerin ndihemi shumë mirë, është prezantuar shumë mirë. Të gjithë jemi bashkë dhe jemi ndjerë shumë rehat edhe me trajnerin e ri. Synimi me fanellën kuqezi është që të bëj sa më lart dhe të arrij ekipin e parë, me Kombëtaren e madhe, sa më shpejt të jetë e mundur”, – tha Shani.

Ndërkohë që shoku i tij, 19-vjeçari Hysenagolli ka pohuar se: “Unë jam shumë i lumtur që jam këtu. Trajneri është shumë i mirë dhe skuadra është shumë e fortë dhe shumë e mirë. Komunikimi me trajnerin është shumë i mire,”- u shpreh 19-vjeçari Hysenagolli.

E.S./Vipsport.al/