Duro i përgjigjet Ramës: Edhe Laçi i do të dy trofetë. Dueli në kampionat do ndikojë për Kupën

Shpëtim Duro është i bindur se Laçi i tij, do të ngulmojë që të fitojë çdo trofe të mundshëm në këtë sezon dhe është i përqendruar njëlloj si në kampionat, ashtu edhe te Kupa e Shqipërisë. Kurbinasit mësuan sot se ndeshja çerekfinale e turneut do i vendosë përballë Partizanit, një rival që e kanë dhe në kampionat e me të cilin do të ndeshen këtë javë.

Trajneri, në fjalët e tij për “Fax Sport” shpjegoi se një përballje e tillë do të ndikonte edhe në takimin mes dy ekipeve në mars, pasi aktualisht ndesheshin dy skuadrat më në formë të futbollit shqiptar.

Kupa – “Sigurisht është short i vështirë. Përballemi me një skuadër që momentalisht është në gjendje shumë të mirë, por njëkohësisht edhe ne jemi shumë mirë. Por shorti kuptohet që është i tillë dhe i pranon këto situata. Kemi një përballje të vështirë, ashtu si edhe Partizani do të ketë një short të vështirë me ne”.

Rival edhe në kampionat – “Patjetër që jemi të fokusuar te ndeshja në kampionat me Partizanin. Jemi dy skuadra që për momentin jemi në gjendje më të mirë se të gjithë të tjerët. Mendoj se kjo ndeshje do i paraprijë ndeshjes së Kupës, do të ketë ndikim psikologjik”.

Analiza e kundërshtarit – “Partizani është në moment të mirë, duhet të vlerësojmë maksimalisht të gjitha çka ka dhënë në këto momente, në gjithë ato situata, me skuadër e organikë. Ndaj nuk mund të mbivlerësoj pikët e forta të Partizanit, por as t’i nënvlerësoj. Do t’i komentoj me skuadrën për të përgatitur ndeshjen me Partizanin”.

Forma e Laçit – “Normalisht, këtë duhet të vlerësojnë kundërshtarët. Por unë jam i kënaqur me skuadrën në të gjitha aspektet e lojës. Kemi arritur rezultate pozitive, të shoqëruara me paraqitje të mira në fushën e lojës. Kemi pasur ekuilibër të jashtëzakonshëm në të dy fazat, kemi pasur ekipin e plotë. Por këtë javë kemi problemin se kemi dëmtime e kartona, por kam besim që edhe pjesa tjetër e kontingjentit do të vlerësojë e shpërblejë pozicionin e tyre”.

Kampionati apo Kupa? – “Unë them që edhe ne jemi të përqendruar edhe te kampionati, por edhe te Kupa. Kupa ka specifikë tjetër, me dy ndeshje teke mund të shkosh në finale, vlerësimi nga ana jonë është maksimal”.

Situata në Superiore – “Patjetër që prtendent kryesor në këto momente është Vllaznia se është 4 pikë larg vendit të dytë e 5 me vendin e tretë. Sigurisht ka një moment ngërçi sa i përket rezultateve, ashtu si e kanë patur të tjerët. E rëndësishme është vazhdimësia, kush do të jetë skuadër me personalitet e karakter për të vazhduar me dinjitet pjesën tjetër të kampionatit. Këto javë janë shumë të rëndësishme si për Laçin, Partizanin e Teutën. Ajo skuadër që do të mbajë ritmin, forcën e personalitetin do të jetë e suksesshme. Por Vllaznia është e para, ndonëse ka kërcënim real nga tre skuadra të tjera”.

Mungesa e Nuabuezes – “Ne kemi alternativa, por Nuabueze ishte më i miri i sezonit të kaluar dhe momentalisht. Nuk mund ta anashkaloj që është mungesë e rëndësishme. Por bëmë ndeshje të mira edhe pa të. Shpresojmë që në këto ndeshje mungrsën ta zëvendësojnë alternativa të tjera”.

Dëmtimi i Mazrekajt – “Ka qenë lojtar kyç i momentit për skuadrën tonë, sa i përket mënyrës së lojës e fizionomisë. Nuk mund të jap përgjigje 100% por situata nuk është pozitive, ndoshta 50 me 50. Por dy ditët e ardhshme do të shohim si është situata e tij. Por të them të drejtën nuk jam shumë optimist”. /vipsport.al/