Dëshira për t’u përballur me më të mirët, Berisha: Do bëjmë gjithçka për t’u kthyer në Serinë A

Etrit Berisha synon që etapa e tij me SPAL në Serinë B të zgjatë vetëm një sezon. Portieri çuditi me vendimin e tij për të qëndruar në këtë klub edhe një kategori më poshtë, por gjithçka është bërë për të synuar kthimin e shpejtë përsëri mes më të mirëve në futbollin Italian, aty ku Berisha u bë një emër i njohru në arenën kombëtare e ndërkombëtare.

Një mendim të cilin ai e ka shprehur vetë në faqen e klubit, para sfidës ndaj Rexhinës, ku ekipi do të ketë si objektiv fitoren për t’u kthyer mes skuadrave të para në klasifikim, pasi nuk ka shijuar tre pikët në asnjë prej 5 sfidave të fundit që ka luajtur.

“Jemi të inatosur pas ndeshjes me Viçencën, por po hyjmë në një periudhë thelbësore dhe duhet të japim gjithmonë maksimumin për të përmirësuar klasifikimin. Duhet të shlyejmë menjëherë gabimet, duke u nisur nga sfida me Rexhinën. Deri tani kemi paguar shumë ashpër, përtej gabimeve tona, kemi paguar edhe mungesën e agresivitetit dhe jam i sigurt se mund të përmirsëhemi në këtë aspekt. Duam të kthehemi menjëherë në Serinë A dhe do të bëjmë gjithçka që t’ia dalim”, tha portieri kuqezi i skuadrës që aktualisht mban vendin e 8 në klasifikimin e Serisë B, 8 pikë larg vendit të parë. /vipsport.al/