Daja: Ndaj Laçit koefiçenti i vështirësisë më i lartë, manovra më e rëndësishme se moduli i lojës

Partizani përballet ditën e nesërme me Laçin, një kundërshtar direkt që ashtu si të kuqtë, synim ka titullin kampion. Para sfidës me kurbinasit, trajneri i Partizanit, Ilir Daja ka folur për mediat teksa thekson se ekipi ka disa mungesa, ndërsa shton se për të manovra në fushë është më e rëndësishme se moduli i vendosjes së futbollistëve.

“Edhe Laçi vjen nga ndeshje radhazi të fituara, ashtu siç edhe ne. Janë dy ekipe që edhe në klasifikim janë rivalë, besoj që si edhe në sfidat e tjera, pavarësisht se koefiçenti i vështirësisë është më i lartë se në sfidat e tjera, ne do futemi në fushë duke respektuar Laçin për atë që ka bërë, por do të futemi për ta fituar ndeshjen”.

Mungesat- “Përveç Xhunior, është edhe Murataj është edhe Asani që pardje bashkë me një lojtar tjetër që nuk po e prezantoj pasi është edhe seanca e fundit dhe nuk e dimë nëse do të jetë, kështu bëhen disa mungesa të rëndësishme, por që kemi një kontigjent që ndoshta nuk e ndjejmë shumë këtë për ta startuar ndeshjen, por në vazhdimësi ka probleme sepse mund të përshtasim lojtarë në rolet e tyre jo natyrale”.   

Strategjia- “Moduli i lojës është i njëjtë, por me kundërshtarë të ndryshëm ne kemi përdorur manovra të ndryshme. Ajo që është më e rëndësishme është manovra se sa vendosja e lojtarëve në fushë. Sigurisht, kemi pasur kohë ta punojmë ndeshjen, por ajo që na ka nxjerrë probleme është mungesa e shtuar e Asanit, por edhe ndonjë lojtari tjetër që shpresojmë që me kontigjentin që kemi ta përballojmë këtë ndeshje me vështirësi të lartë”, u shpreh Daja. /VipSport.al/