Cungu: Ëndrra u realizua, talentet mund të rriten edhe në hallet e Shqipërisë

Armando Cungu ka marrë drejtimin e kombëtares U19 dhe ka nisur së fundmi nga puna, teksa për momentin të rinjtë janë të grumbulluar dhe po punojnë në urdhrat e trajnerit shkodran. Sakaq, në një prononcim për Supersport, trajneri Cungu thekson se për të, drejtimi i kombëtares U19 është realizimi i një ëndrre. Sakaq, Cungu, shprehet se talentet mund të rriten edhe në hallet e Shqipërisë, ndërsa shton se ata elementë që vijnë nga jashtë duhet të bëjnë diferencën.  

“Mendoj siç është në dëshirën apo ëndrrën e çdo futbollisti të veshë njëherë të vetme fanellën e kombëtares, e njëjta gjë ndodh edhe për trajnerët. Është besoj kënaqësia më e madhe, nderi, por edhe kulmi në karrierën e një trajneri që të jetë pjesë e kombëtares, pavarësisht nëse bëhet fjalë për moshat apo jo. Falenderoj drejtuesit e Federatës që më kanë dhënë këtë mundësi, njëkohësisht edhe ëndrra u realizua”.

Seleksionimi- “Është një moshë e rëndësishme sa i përket të ardhmes së kombëtares A. Për këtë arsye, përgjegjësia nuk është e vogël, por e madhe, për të bërë të zgjedhur elementin e duhur që këto djem t’i shërbejnë dhe të jenë e ardhmja e kombëtares. Jemi në fazën e vëzhgimeve, për të seleksionuar apo për të vlerësuar çdo individë që është këtu. Por, do të thërrasim edhe element të tjera, nuk do të mbesë jashtë fokusit edhe kampionati shqiptar”.

Lojtarët që luajnë jashtë- “Unë nuk jam në grupin atyre që paragjykojnë që futbollistë që luajnë në Shqipëri apo ato që luajnë jashtë. Pak rëndësi ka për mua, talentet mund të rriten edhe në futbollin shqiptar, me problematikat dhe hallet e një Shqipërie. Jam i mendimit që ato që do jenë jashtë Shqipërisë, patjetër që duhet të vijnë dhe të bëjnë diferencën.

Besoj që ekipet zinxhirë, primare është të zgjedhësh elementin e duhur, të japësh konceptet e duhura për futbollin në mënyrë që të rriten dhe të shërbejnë sa më mirë për kombëtaren A. Por, kjo nuk zbeh dëshirën apo objektivat për të qenë konkurrentë sa i përket ndeshjeve. Në kompeticion do të mundohemi të marrim sa më shumë pikë dhe të jemi dinjitozë dhe kompetitivë”, u shpreh Cungu. /VipSport.al/