Bulku zbret në fushë si trajneri i U17: Kjo është mosha më e rëndësishme se ndërtojnë karrierën

Ervin Bulku ka nisur punën në terren me Kombëtaren U17, në stolin e të cilës është emëruar vetëm pak kohë më parë. Ish-mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka zhvilluar një grumbullim me lojtarë kryesisht nga kampionati shqiptar, duke pranuar se pasi ka marrë këtë detyrë, ka nisur si fillim të monitorojë kampionatin vendas, për të gjurmuar talentet e reja.

“Ndihem shumë i vlerësuar nga Presidenti Armand Duka dhe Federata Shqiptare e Futbollit që më kanë besuar drejtimin e grupmoshës së 17 vjeҫarëve, që është mosha më e rëndësishme duke parë që fillojnë të hidhen hapat e parë të një futbollisti profesionist dhe ndërton karrierën e tij. Nga momenti që më kanë besuar drejtimin e skuadrës kam filluar të ndjek kampionatin e kësaj grupmoshe në 4-5 ndeshje duke parë kohën në dispozicion.

Sot është seleksionimi im i parë ku sëbashku me stafin tim po shikojmë me imtësi këtë grupmoshë sepse duhet të bëjmë më të mirën, duhet të punojmë shumë fort për t’i shpërblyer besimin drejtuesve që na besuar. Kontributi jonë duhet të jetë i madh për të seleksionuar më të mirët e kësaj moshe në mënyrë që të jenë pjesë e ekipeve kombëtare dhe t’i shërbejnë në të ardhmen kombëtares shqiptare. Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën në punën tonë”, tha Bulku. /vipsport.al/