Bregu: Teuta ka mbrojtje dhe sulm solid, me Kukësin do të jetë e luftuar

Në një prononcim për “Supersport” ka folur sot edhe fantazisti i skuadrës së Teutës, vlonjati Dejvi Bregu. Në verë zgjodhi që të vijojë karrierën te durrsakët, ndërsa Bregu është optimist dhe ka besim se titulli do të shkojë në Durrës këtë sezon.

Ja si e nis ai prononcimin e tij. “Kanë qenë tri fitore të rëndësishme që ne i kemi kërkuar. Kemi zhvilluar lojëra të mira ndaj erdhën rezultatet. Shpresojmë që të kemi vazhdimësi. Asgjë nuk ka mbaruar, jemi në garë për titullin, shpresojmë që edhe me ndalesën e ardhshme të Vllaznisë të jemi në rrugë të mbarë.”

“Kemi besim tek aftësitë tona, pasi kemi ekip të mirë. Edhe Kukësi ka ekip të fortë dhe një trajner me eksperiencë. Shpresoj të jetë ndeshje e luftuar dhe në fund të fitojmë ne.”

“Nuk shoh ndonjë diferencë mes sulmit tonë dhe sulmeve të ekipeve rivale. Ky është opinion i të tjerëve, s’kam çfarë shtoj. Shpresoj që mbrojtja jonë të vazhdojë në këtë rrugë”, – tha Dejvi Bregu, një nga lojtarët më të dalluar në Superioren tonë në vitet e fundit.

E.S./Vipsport.al/