Bregu: Jemi në garën për titull, kemi besim te aftësitë tona

Teuta do të kërkojë fitoren e katërt radhazi në kampionat, teksa do të presë nesër në shtëpi Kukësin. Një nga më të rëndësishmit e ekipit durrsak, Dejvi Bregu shpreson që ndeshja ndaj verilindorëve të jetë e liftuar dhe në fund të fitojnë ata. Në një prononcim për Supersport, vlonjati thekson se Teuta është plotësisht në garën për titull dhe se lojtarët kanë besim te aftësitë e tyre.

“Kanë qenë tri fitore të rëndësishme që ne i kemi kërkuar. Kemi zhvilluar lojëra të mira ndaj erdhën rezultatet. Shpresojmë që të kemi vazhdimësi.

Asgjë nuk ka mbaruar, jemi në garë për titullin, shpresojmë që edhe me ndalesën e ardhshme të Vllaznisë të jemi në rrugë të mbarë.

Kemi besim tek aftësitë tona, pasi kemi ekip të mirë. Edhe Kukësi ka ekip të fortë dhe një trajner me eksperiencë. Shpresoj të jetë ndeshje e luftuar dhe në fund të fitojmë ne”.

Mungesa e golit? “Nuk shoh ndonjë diferencë mes sulmit tonë dhe sulmeve të ekipeve rivale. Ky është opinion i të tjerëve, s’kam çfarë shtoj. Shpresoj që mbrojtja jonë të vazhdojë në këtë rrugë”, u shpreh Bregu. /VipSport.al/