Bërdariç: Tirana ishte më e zgjuar, vitin e kaluar ishim për mbijetesë

Vllaznia la pikë të tjera në garën për titull, teksa u mposht në shtëpi nga Tirana me rezultatin 1-2. Pas ndeshjes, trajneri i shkodranëve, Tomas Bërdariç thekson se kundërshtari u tregua më i zgjuar dhe më i mirë në finalizim, ndërsa shtoi se duhet bërë kujdes për titullin, pasi vjet ekipi ishte në diskutim për mbijetesë.

“Nuk shkuan gjërat si menduam. Ne deshëm të fitonim këtë ndehsje. Nuk ishte mirë që pësuam shpejt golin e 1-1. Por u kthyem në lojë, e mbyllëm në sulm, por nuk shënuam. 

Ne jemi një skuadër dhe ndonjëherë duhet të ndërrojmë lojtarët, por duhet të punojmë dhe t’i japim besim lojtarëve në fushë. Sot kishim 11 lojtarë, ishim në gjendje për të fituar, por Tirana ishte më e zgjuar dhe më e mirë në finalizim se skuadra jonë.

Kur humb ndeshjen, sheh fillimisht çfarë nuk shkoi mirë, duhet ta menaxhojmë. Jemi në fazën e sezonit ku duhet të jemi të kujdesshëm me përgjigjet, të analizojmë këtë ndeshje me dobësita tona dhe të bëjmë më mirë në ndeshjen e radhës.

Askush nuk ka folur për titullin kampion, askush nuk flet për diçka që nuk mund të arrijmë. Ky klub vitin e kaluar ishte për mbijetesë. Ne u ngjitëm shpejt në krye, është një sfidë e madhe ta mbash, duhet të menaxhojmë atë, duhet të jemi realist. Duhet të mbroj lojtarët, të flas me ta dhe asgjë tjetër”, u shpreh Bërdariç. /VipSport.al/