Bërdariç: Në javët e fundit nuk kemi bërë atë që pritej, t’i bëjmë tifozët të ëndërrojnë

Vllaznia pret ditën e nesërme në shtëpi Tiranën teksa kuqeblutë kërkojnë të rikthehen te rezultatet pozitive, për të mos rrezikuar më shumë vendin e parë në klasifikim. Para përballjes me bardheblutë, trajneri Tomas Bërdariç ka theksuar se e dinë rëndësinë e afidës dhe mezi po e presin atë. Ndër të tjera, kroato-gjermani shprehet se tifozët duhet t’i bëjnë të ëndërrojnë.

Si po e përjeton skuadra ndeshjen e nesërme sepse fansat mezi e presin?

“Po e presim mirë, jemi përgatitur. E dimë rëndësinë e saj dhe sesi shkodranët mezor e presin. Do hyjmë në fushë për të marrë tri pikët. Unë bazoj këtë vendosmëri në sjelljen e skuadrës, te lojtarët e mij. E dimë se në javët e fundit nuk kemi bërë atë që të gjithë kanë pritur. Kemi punuar mirë për të përgatitur ndeshjen e nesërme dhe kam parë ekipin gjatë javës”.

Fansat kanë përgatitur surpriza, çfarë do i jepni pas? “Ata janë më të mirët, e di që presin shumë nga ne. Le t’i bëjmë të ëndërrojnë, sepse njerëzit këtu identifikohen me këtë. Nesër është një ndeshje dhe duhet të bëjmë më të mirën tonë me mundësitë që kemi. Jam duke ndërtuar diçka në Shkodër dhe më pëlqen që jam këtu”.

Dëmtimet? “Do flas për lojtarët që janë gati dhe sesi ta fitojmë këtë ndeshje. Dua që këta lojtarë të kenë ndjeshmëri për duelin”, u shpreh Bërdariç. /VipSport.al/