Gatuzo drejt shkarkimit, Reja është gati të marrë drejtimin e Napolit… dhe Shqipërisë

Edi Reja është gati të ulet në pankinën e Napolit deri në fundin e këtij sezoni. Lajmi vjen nga përtej Adriatikut ku prej disa ditësh po diskutohet e ardhmja e Rino Gatuzos në pankinën e ekipit.

Humbja në Superkupë ndaj Juventusit dhe më pas ajo në kampionat përballë Veronës, ka tronditur rëndë pankinën e ish-mesfushorit italian me presidentin De Laurentis që raportohet se ka nisur kërkimin për teknikun e të ardhmes. Plani i tij fillestar përfshinte Rafa Benitez, por tashmë ka dalë në skenë emri i Edi Rejas.

Trajneri i përfaqësueses shqiptare ka lidhje të ngushtë me De Laurentis, i cili pak vite më parë e punësoi që t’i ndërtonte komplet sistemin e akademisë, pasi i kishte lënë mbresa puna që kishte bërë me ekipin e parë. Të dy vazhdojnë të kenë kontakte të shpeshta dhe sipas mediave italiane, De Laurentis po e projekton Rejan si trajnerin që do të mbyllë sezonin nëse shkarkohet Gatuzo. Edhe tekniku raportohet se është i gatshëm ta bëjë një gjë të tillë, paralelisht me drejtimin e Shqipërisë, të cilën në muajin mars do ta udhëheqë në ndeshjet e para të kualifikueseve të Botërorit.

Sigurisht, nuk është një situatë që zgjidhet lehtë pasi ky variant nuk pëlqehet nga FSHF me të cilën Reja është nën kontratë, pasi do të shpërqendronte trajnerin në detyrën e tij. Kështu, ka vështirësi reale në konkretizimin e kësaj marrëveshje, por në Itali insistojnë se ajo vazhdon të jetë një hipotezë reale dhe po diskutohet mes aktorëve pjesëmarrës. /vipsport.al/