Jupi flet për derbin e kryeqytetit: Tirana më e mirë në individë, nëse flitet për lojë në grup atëherë Partizani


Java e gjashtë e Kategorisë Superiore dhuron derbin e kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit. Atmosfera e ndeshjes që do të luhet të premten në orën 18:00 ka nisur të ndihet, ndërsa për këtë sfidë është folur edhe në studion e Proçesit Sportiv, teksa Redi Jupi ka analizuar të dyja skuadrat. Ish-futbollisti i Dinamos, tashmë në rolin e konsulentit sportive thekson se nëse ndeshja vendoset nga episode, atëherë më e favorizuar sipas tij është Tirana, duke qenë se i shikon futbollistët bardheblu më të mirë se të Partizanit nga ana individuale. Por, nëse bëhet fjalë për të triumfuar një skuadër e cila luan në grup, atëherë favoritë do të jenë të kuqtë.

“Partizani vjen pas një fitore bindëse, në një gjendje shumë të mirë. Në dy ndeshjet e fundit ka shënuar 7 gola kundër Apolonisë dhe Skënderbeut. Skënderbeu nuk është e thjeshtë sa mund të duket, e zvogëloi Partizani me meritat e tij. Nga ana tjetër kemi Tiranën që ka shumë cilësi, megjithëse nuk ka marrë rezultatet më të mira në këto javët e fundit. Shikoni, është një problem në gjithë Europën dhe renditjet janë të çuditshme.
Në vendet e para sheh kudo ekipe që askush nuk e mendonte se mund të shkonin në ato vende.

Kampionati deri tani ka shfaqur ekuilibër të plotë dhe ndeshjet vendosen nga episodet. Kështu edhe në derbi, nëse takimi do të vendoset nga episodi, Tirana është më e favorizuar pasi është më mirë cilësisht në individë. Këtu më vjen Muçi dhe emra të tjerë që spikasin aty. Pastaj nëse do të fitojë loja më e mirë në grup, më tepër favorizim ka Partizani”, u shpreh Jupi. /VipSport.al/