Xhixha: Për merkaton pyesni klubin se mua s’më ka kontaktuar njeri, Laçi kërkon më shumë se vendi i 3-të

Të gjithë përmendim Nuabueze, por Laçi ka edhe një “xhevahir” vendas në skuadër. Redon Xhixha është aty për të shpëtuar skuadrën dhe për t’i dhuruar Cungut pikë shumë të rëndësishme. 21-vjeçari është autor i plot 9 golave këtë sezon dhe prej ditësh kanë filluar zërat në merkato, në lidhje me një kalim në Turqi. Në një intervistë për “Super Sport” në emisionin “Fan Zone”, talenti laçjan sqaron çështjen e largimit dhe pohon se kjo ndalesë ka ndikuar keq te ai.

NDALESA- Ndalja e kampionatit nuk më ka bërë vetëm mua keq, por të gjithë lojtarëve. Unë po bëja një sezon të mirë dhe virusi na e ndërpreu. Ne jemi mirë në vend të 3-të dhe përfitojmë Europën, por e mira është që të shkojnë në Europë ata që e meritojnë të jenë. Kam një plus te Laçi pasi jam vetë nga Laçi dhe njerëzit më duan shumë.

MERKATO- Mua nuk më ka ardhur asnjë ofertë personalisht, por dy klubet mund të kenë kontakte e për këtë duhet të pyetur klubi. Unë nuk kam pasur kontakte me klubin turk, por e kam mësuar në media këtë interesim. Çdo lojtar i ri dëshiron të luajë jashtë, por unë kam dalë nga akademia e Laçit. Kur të vijnë ofertat do të flas me klubin se kush është oferta më e mirë për mua dhe ata.

Moussa Diaby dhe Redon Xhixha

OBJEKTIVAT- Në momentin që do të fillojmë stërvitjen duhet të kemi dy javë kohë për t’u stërvitur pasi kaq kohë sa kemi pa stërvitje do të jetë një lodhje e madhe. Ne nuk kemi objektiva të mëdha, por kemi objektiv vetëm ndeshjen e radhës. Nuk duhet të mendojmë për Europën që në fillim, por të mendojmë pas çdo ndeshje. Kemi bërë shumë ndeshje të mira dhe pse mos të kërkojmë më shumë se vendi i 3-të.

FESTA DHE VAJZAT E BUKURA- Unë jam tifoz i sulmuesve që janë në formë e për këtë arsye festoj si ata. Kam festuar si Piatek, Grizman apo edhe Ronaldo. Edhe në Laç edhe në Tiranë ka vajza të bukura, por në kryeqytet ka më shumë. Unë jam 21 vjeç dhe duhet ta mbaj mendjen te futbolli. /vipsport.al/