Xhaka: Përplasja me tifozët i përket të kaluarës, e ekzagjeruam të dy palët

Granit Xhaka dhe Arsenali dukej një histori e përfunduar deri pak muaj më parë. Mesfushori dhe tifozët e “topçinjve” filluan një luftë të ndezur në fushë e jashtë saj, që çoi në sharjet e ofendimet në rrjetet sociale e më pas shpërthimin publik të kapitenit që fluturoi shiritin gjatë ndeshjes. Largimi i tij dukej i pashmangshëm por gjërat me sa duket janë qetësuar me Artetën në drejtim.

“Pas ndryshsimit të trajnerit gjërat shkojnë më mirë. Me Artetën jam ndjerë menjëherë mirë. Më kanë bindur idetë e tij, filozofia e tij, si dhe më ka treguar menjëherë besim. Jam i lumtur që kam shpaguar besimin dhe shpresoj që ta bëj në të ardhmen, uroj duke luajtur në Champions. Përplasja me tifozët? Argumenti është mbyllur për sa më përket, ishte një keqkuptim dhe kemi pasur reagime të ekzagjeruara. Mund të jenë të qetë, do të jap gjithmonë gjithçka për Arsenalin. Kam ardhur në Angli për të fituar tituj dhe është ende objektivi im”, tha Xhaka në një intervistë për “Bild”.

Ai pranoi se kishte pasur bisedime me Hertën për një transferim të mundshëm në janar, ndërsa shtoi se do t’i mungonte Aubamejang nëse do të largohej në verë siç përflitet. “Ai është një njeri fantastik dhe një lojtar që jeton për golin. Person pozitiv, optimist, gjithmonë i gjindshëm dhe profesionist”, ishte përshkrimi që mesfushori i bëri sulmuesit. /vipsport.al/