VIDEO/ Spektakël prej gjermanësh, Bajerni “shtyp” Ajntrahtin me “manita”

Bajerni i Mynihut vazhdon rrugën drejt titullit. Kundërshtari i sotëm ishte Ajntrahti i Frankfurtit, që tregoi shumë oshilacione gjatë ndeshjes, por në fund bashkë me Bajernin zhvilluan një ndeshje shumë të bukur. Bajerni e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme. Golat e Goretskës dhe Tomas Mylerit i dërguan bavarezët të qetë për tre pikët në dhomat e zhveshjes.

Me nisjen e së dytës nuk mund të mungonte firma e Levandovskit në listën e golashënuesve, duke trefishuar shifrat për kampionët e vendit. Ajntraht nuk u dorëzua, por ngriti kokë me dy gola fotokopje nga këndorja , që mbajnë firmën e Hintereger dhe njeriu asist ishte Sebastian Rode. Një orë lojë dhe Ajntrahti kishte mundësinë të barazonte dhe të bënte këtë ndeshje të paharrueshme.

Për ta shuar këtë dëshirë mendoi kanadezi Alfonso Dejvis, i cili “vrau” ndeshjen në minutën e 61. Pjesa tjetër e përballjes vijoi jo më çmendurinë, që nisi fraksioni i dytë dhe Bajerni administroi fizikun. Do të ishte vetë Ajntrahti, që do i dhuronte golin e manitas bavarezëve, me Hintereger, që shndërrohet nga “engjëll i kryengritjes” në “engjëllin e vdekjes”, duke shënuar një autogol në të 72-tën dhe vulosur rezultatin e ndeshjes në 5-2. /vipsport.al/