VIDEO/ Sot mbush 36 vjeç, le të shijojmë “magjinë” e Iniestës kur ishte “pak fare” më i ri

Andres Iniesta është një nga mesfushorët më të mirë që ka parë futbolli gjatë dekadave të fundit, teksa ka edhe shumë opinionistë, që e fusin në listën e më të mirëve të historisë. Ish-mesfushori katalanas ka një karrierë të jashtëzakonshme, ku ka arritur të fitojë gjithçka me kombëtaren e Spanjës dhe Barcelonën.

Në planin individual i mungon një “Top i Artë” dhe shkaku është se luante në një skuadër me Leo Mesin. Sot Iniesta mbush 36 vjeç dhe luan akoma futboll në Japoni me skuadrën e Visel Kobe. Edhe në Azinë e largët herë pas here na zgjon me ndonjë magji, që në rininë e tij i dhuronte gati në çdo ndeshje.

UEFA sot ka vendosur të urojë “Don Andres” përmes një videoje me momentet më të mira të mesfushorit me kombëtaren e Spanjës, ku janë zgjedhur kryesisht çaste nga edicioni i “Euro 2012”, kur Spanja u shpall kampione Europë për të dytën herë rresht dhe mesfushori ishte udhëheqësi i “Furisë së Kuqe”. Meqenëse UEFA ka qëndruar vetëm te kombëtarja ne ju sjellim edhe një video të marrë në “Youtube” të Iniestës te Barça. /vipsport.al/