VIDEO / I zakonshmi Leva dhe pastaj Pavard, Bajerni nuk ka humbur ritmin as nga COVID-19

Bajern Mynih duket sikur nuk e ka ndjerë aspak ndalesën si pasojë e pandemisë që bllokoi futbollin thuajse në të gjithë botën. Bavarezët janë kthyer sot përsëri në fushë duke kompletuar ndeshjen e javës së 26 në Bundesligë ndaj Union Berlin dhe ashtu siç pritej, kanë regjistruar fitoren e radhës për të ruajtur distancën prej 4 pikësh nga Borusia Dortmund që i ndjek në vendin e dytë.

Në fakt, ndeshja nisi nën ritëm, ashtu siç pritej pas një pauze kaq të gjatë e me skuadrat që nuk kanë pasur mundësinë të testojnë veten në miqësore. Por Bajerni u tregua më konkret dhe pas golit që iu anullua Myler me VAR për pozicion jashtë loje, gjeti avantazhin në fundin e pjesës së parë me penalltinë e Levandovskit.

Union Berlin u mundua të reagonte por Bajerni nisi vrullshëm pjesën e dytë duke kërkuar të mbyllte ndeshjen. Ia doli që ta bënte një gjë të tillë vetëm në minutat e fundit me anë të Pavard i cili vulosi suksesin 2-0 dhe ngjiti bavarezët në kuotën e 58 pikëve pas 26 javëve kampionat. /vipsport.al/