Theu këmbën në stërvitje, ish-ylli i Skënderbeut mbyll sezonin

Gjatë viteve kur ishte në krye të futbollit shqiptar, Skënderbeu ka arritur të nxjerrë nga gjiri i tij lojtarë të denjë për të luajtur në nivele shumë të larta në Europë. Një prej më të mirëve është Peter Olainka, i cili në vitin 2016 u shit në Belgjikë te klubi i Gent për plot 1.1 milionë euro.

Dy vite më parë nigeriani iu bashkua skuadrës së Slavia Praga, ku është shndërruar në sulmuesin kryesor të ekipit. Ai arriti të shënonte edhe një gol shumë të rëndësishëm në Champions League kundër skuadrës së Interit në fazën e grupeve, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij. Përtej kësaj, një lajm i keq ka ardhur për nigerianin nga infermieria.

Në stërvitjen e djeshme Olainka është përpjekur të bëjë një lëvizje të rrezikshme dhe ka përfunduar duke lënë fushën menjëherë dhe iu drejtuar qendrës mjekësore. Pas ekzaminimeve është zbuluar se 24-vjeçari ka pësuar një thyerje në kockën e pulpës së këmbës së djathë. Ai i është nënshtruar menjëherë operacionit dhe klubi çek ka njoftuar se mungesa e tij do të jetë e gjatë.

Olainka nuk do të jetë i gatshëm të luajë për tre muajt e ardhshëm, çka do të thotë se nuk do të jetë i gatshëm të luajë në rinisjen e kampionatit çek më 25 maj, por tani do duhet të mendojë vetëm të jetë gati për sezonin e ri. Gjatë këtij edicioni me Slavian, Olainka ka arritur të dërgojë 5 herë topin në rrjetë. /vipsport.al/