Tare fërkon duart, Dortmundi zyrtarizon largimin e heroit të 2014-ës

Mario Gëtze është një nga më të mirët e dekadës së kaluar te Borusia Dortmund, por kohët kanë ndryshuar dhe verdhezinjtë nuk kanë më nevojë për të. Mesfushori shkëlqeu te Dortmundi, pasi të bashkohej me Bajernin dhe më pas të shënonte atë gol të paharrueshëm në finalen e Botërorit të 2014-ës ndaj Argjentinës së Mesit.

Te kampionët e Gjermanisë, Gëtze nuk e gjeti kurrë veten dhe e pati të pamundur të shndërrohej në një lojtar të sigurt formacioni. Kthimi te Dortmund pasoi, por ditët e shkëlqimit nuk erdhën. Gëtze nuk arriti të ishte më i dikurshmi dhe në skuadër djem të ri erdhën dhe e eklipsuan, duke e bërë që të mos rinovojë dhe të mbyllë eksperiencën e tij në “Signal Iduna Parc”.

Këtë lajm e konfirmon vetë drejtori sportiv i Borusia Dortmund, Mark Zork për mediet gjermane. “Raporti ynë me Marion do të mbyllet këtë verë. E kemi marrë bashkërisht këtë vendim pas një bisede të qetë. Mario është një djalë i shkëlqyer”, u shpreh Zork. Për Gëtzen ka interes nga skuadra jashtë Europës, si dhe nga Milani e Lacio. E vetmja skuadër që i mundëson të luajë në Champions League janë kryeqytetasit e Italisë dhe Tare pritet ta shfrytëzojë këtë mundësi në maksimum. /vipsport.al/