Stoiçkov: Guardiola i gjeti gjërat gati te katalanasit, Murinjo te Barça dinte të bënte vetëm një gjë

Hristo Stoiçkov është një nga ballkanasit e paktë, që ka arritur të shkëlqejë te Barcelona. Ish-sulmuesi është një nga legjendat e klubit katalanas dhe herë pas here mediet zgjedhin t’i marrin mendime rreth klubit blaugrana. Këtë herë Stoiçkov ka zgjedhur të surprizojë gjithë tifozët e ish-ekipit të tij.

Në një intervistë për mediet spanjolle, bullgari lë të kuptohet se puna e Guardiolës te Barça është zmadhuar, kur thotë se ai e kishte të thjeshtë, pasi Rajkard kishte bërë gjithçka gati. Stoiçkov flet edhe për kundërshtarin numër një të Guardiolës, Murinjon, të cilin e ka pasur asistent trajner kur luante te Barcelona.

“Barcelona ishte një skuadër e bukur dhe e gatshme, puna e Guardiolas ishte e thjeshtë, duke i ditur sekretet e La Masia. Skuadra që ka stërvitur ishte ndërtuar nga Frenk Rajkard. Ata lojtarë, me ose pa Pep, do i kishin arritur ato rezultate. Lojtarë të kalibrit të Henri, Deko, Ronaldinjo, Markez, Pujol dhe Viktor Valdez formuan një ekip me të vërtetë të çmendur. I duhej edhe një lojtar, por më pas u bashkuan me ekipin Iniesta, Pedro e Mesi, dhe skuadra u kompletua

Mourinho ishte një djalë inteligjent, gjatë kohës që ishte te Barcelona shikonte gjithçka me vëmendje, që nga përgatitjet fizike, ushtrimet e ngrohjes dhe deri te puna me topin. Ai gjithmonë kishte një letër dhe një stilolaps në dorë. Nuk bënte gjë tjetër, veçse mbante shënime”, përfundoi ish-sulmuesi. /vipsport.al/