Sormani: Asnjë krahasim me periudhën para pandemisë, një lojtar më tha që nuk vishte dot këpucët

Trajneri i Partizanit, Adolfo Sormani, mendon se pjesa e mbetur e kampionatit do të jetë plotësisht ndryshe nga ajo që u përjetua para ndalesës. Në fjalët e tij para mediave nga stërvitja e të kuqve, tekniku theksoi se tashmë shumë gjëra do të vareshin nga vullneti i lojtarëve për të dhënë më shumë, sesa nga skema taktike, ndërsa pranon se ata që kanë thyer karantinën kishin një avantazh më shumë sesa lojtarët e tij që kishin rreth 3 muaj pa prekur topin me këmbë.

Kthimi në stërvitja – “Kjo është një situatë e çuditshme dhe e ndryshme me periudhën para pandemisë se është e vështirë për të bërë parashikime. Nuk e kemi përjetuar asnjëherë më parë një situatë të tillë. Paraqitja jonë në këtë pjesë të fundit të sezonit do të varet shumë nga dëshira dhe motivimi i lojtarëve tanë”.

Të luhet apo jo – “Ndoshta jam keqkuptuar por nuk kam thënë që nuk dua që futbolli të rinisë se i takon qeverisë të marrë vendime. Por duhet të shtoj që koha që kemi në dispozicion dhe temperaturat do të ndikojnë shumë te forma dhe te dëmtimet e lojtarëve. Pas javës të parë në Gjermani regjistruan një numër të madh dëmtimesh dhe duhet ta marrim parasysh një gjë të tillë”.

Skuadrat që thyen karantinën – “Duhet të pyesni të tjerët, unë  mund të flas vetëm për lojtarët e skuadrës time që nuk kanë zbritur prej 3 muajsh në fushë. Një prej lojtarëve më tha që nuk mund të vishte dot këpucët prej qëndrimit jashtë fushës se i bëheshin këmbët me flluska. Nuk mund të flasësh për të tjerët por nëse dikush është stërvitur me top këtë periudhë është më i avantazhuar”.

Nuk ka asnjë lidhje stërvitja në shtëpi me atë në fushë. Në shtëpi nuk ka kontakt me topin, rreth 3 muaj pa ndeshje, pa miqësore, lojtarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm. Parashikoj ndeshje pa intensitet, nëse nuk ke kushte fizike, nuk je në gjendje të përballesh me kundërshtarët”. /vipsport.al/