Skënderbeu kopjon Kukësin, fjalim nga Takaj e më pas regjim për të përgatitur rifillimin

Skënderbeu nis përgaitjet dhe ashtu si Kukësi, ka vendosur që të gjithë lojtarët t’i ketë të grumbullar për një faze të mirëfilltë përgatitore për të siguruar që ekipi do të jetë në formën më të mirë të mundshme për rifillimin e kampionatit. Skuadra korçare ka bërë të ditur se ekipi do të jetë i grumbulluar në kompleksin stërvitor në Durrës dhe atje trajneri Daja do të ketë gjatë gjithë kohës nën mbikëqyrje ekipin duke e bërë gati fizikisht për kalendarin e ngjeshur.

Që nga dita e nesërme, skuadra do t’i nënshtrohet dy seancave stërvitore, duke i dhënë më shumë rëndësi aspektit të përgatitjes fizike, pasi korçarët e shohin këtë grumbullim si një fazë të mirëfilltë përgatitore ku duhet të kthejnë në formën optimale lojtarët që janë shkëputur prej 2 muajsh nga stërvitjet e tyre normale në fushat e lojës.

Skënderbeu kishte kërkuar në mbledhjen e FSHF që kampionati të fillonte më vonë pasi mendonte se nuk do të bënte lojtarët gati për sfidat e 3 qershorit. Por me vendimin e klubeve për atë datë, u vendos që të zhvillohej një grumbullim i mirëfilltë stërvitor, për të rikuperuar disi në krahasim me skuadrat e tjera që kanë zhvilluar stërvitje fshehurazi në stadium e fusha stërvitore gjatë kësaj periudhe. Vetë presidenti Takaj ka qenë i pranishëm në këtë stërvitje të parë duke mbajtur fjalim para skuadrës ku kërkoi impenjim maksimal në ndeshjet e mbetura për të synuar një vend në Europë dhe për të ecur sa më shumë në Kupën e Shqipërisë. /vipsport.al/