Sindikata takon lojtarët e së Dytës: Do shqyrtojmë kërkesat tuaja, vetëm ne ju kemi ndihmuar në këtë periudhë

Sindikata e Futbollistëve Profesionistë të vendit tonë e kryesuar nga Andi Lila gjatë kësaj periudhe të vështirë për shkak të pandemisë është munduar tu vijë në ndihmë futbollistëve më në vështirësi. Kategoria e Dytë ishte liga, që u përjashtua më shumë nga pagat e luftës, të akorduara nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Ditët e fundit Sindikata ka ndërmarrë një tur, duke takuar lojtarët e disa klubeve të kësaj kategorie për të dëgjuar ankesat e tyre dhe për t’i përfaqësuar kundrejt vështirësive të këtyre ditëve dhe në vazhdim.

POSTIMI I SINDIKATËS:

Situata e pandemisë nxorri në sipërfaqe një mori problemesh që kanë sot futbollistët shqiptarë.

Deri dje këto probleme thuheshin me zë të ulët, vetëm ndërmjet futbollistëve që mund të ishin shokë të ngushtë.

Por sot për këto probleme do të flasin pa asnjë kompromis me askënd dhe me zë të lartë, futbollistët shqiptarë të organizuar në Sindikatën e tyre.

Këto ditë kryetari i Sindikatës z.Andi Lila, me kërkesën e tyre, ka ndërmarrë një tur takimesh me futbollistët e Kategorisë se Dytë, futbollistë të cilët u lanë në mëshirën e fatit si nga qeveria ashtu edhe nga FSHF.

Jo vetëm për shkak të situatës së krijuar nga pandemia por edhe për shkak të mënyrës së organizimit, futbollistët e Kategorisë së Dytë parashtruan para kryetarit të Sindikatës të gjithë problemet me të cilat ata hasen.

Duke e vlerësuar Sindikatën e Futbollistëve si të vetmen organizatë e cila mendoi për ta, jo vetëm me kërkesat drejtuar qeverisë shqiptare dhe FSHF, por edhe duke i ndihmuar ekonomikisht, futbollistët e Kategorisë së Dytë kërkuan që Sindikata e Futbollistëve të jetë përfaqësuesja dhe zëri i tyre për problemet që ata kanë.

Pasi u njoh me problematikat e kësaj kategorie si dhe kërkesën e futbollistëve, që Sindikata të jetë përfaqësuesja e tyre, z.Andi Lila premtoi se: Kryesia e Sindikatës do të marrë në shqyrtim kërkesen e tyre, e cila referuar qëllimit të Sindikatës parashikuar në statut do të merret në konsideratë.

Gjithashtu juristët e Sindikatës, pasi të analizojnë gjendjen, në bashkëpunim me futbollistët e Kategorise së Dytë do të propozojnë edhe zgjidhjet më të mira. /vipsport.al/