Shulku shton pretendimet: Duam të luajnë edhe e Dyta dhe moshat

Dy ditët e fundit Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar takime me presidentët e klubeve të Superiores dhe të Parës, duke rënë dakord me datat e rinisjes dhe protokollet e higjenës gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve. Pas takimit me presidentët e Kategorisë së Parë, Ilir Shulku dha edhe një prononcim të shkurtër, ku u shpreh se dakordësia ishte e të gjithëve, por e vetmja ankesë ishte mbi mbulimet e kostove shtesë.

“Çdo gjë është në rregull nga ana jonë. Nuk pati debate, e vetmja kërkesë erdhi prej disa klubeve, për mbulimin e kostove shtesë, që do të ketë kjo fazë e mbetur. Kjo u la të diskutohet në një moment të dytë”, deklaroi fillimisht Shulku.

Më pas ai zbuloi se në ditët e ardhshme do të ketë takime edhe me klubet e Kategorisë së Dytë dhe shtoi se FSHF është e mendimit se duhet të luhet në të gjitha nivelet, deri në kampionatet e moshave për të cilët pritet të kemi një përgjigje nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, që deri tani është treguar hezituese.

“Do kemi takime edhe me klubet e Kategorisë së Dytë, me përfaqësues të akademive dhe do vazhdojmë me diskutimet. Jemi të mendimit të luhet futboll në të gjitha nivelet. Shpresojmë edhe në mirëkuptimin e ekspertëve të shëndetësisë dhe të zbatojmë protokollin sanitar, që tashmë është dakordësuar dhe ta mbyllin sezonin në fushë”, përfundoi ai. /vipsport.al/