Shqiptari që punon në Serbi ka idhull Igli Taren: Oto Bariç më kontaktoi, isha shumë afër Vllaznisë së Myftar Çelës

Ardijan Gjokaj, ish-sulmuesi anësor nga Tuzi, ka luajtur me Jugosllavinë U-21, por karriera e tij si futbollist ka qenë e sukseshëm me ekipe të Gjermanisë, Turqisë dhe Spanjës. Momentalisht, siç e konfirmon edhe vetë ai është drejtor sportiv te Cervena Zvezda, ku edhe ka kontribuar si lojtar vite më parë. Në emisionin “Fan Zone” ai tregoi një ëndërr të madhe, të takojë Igli Taren, ndërsa tregon edhe kontaktet që ka pasur për të veshur bluzën e Shqipërisë…“Oto Bariç më ka marrë në telefon kur luaja në Gjermani. Kam qenë te Koblenz atëherë. Kisha sezon fantastik, shënova 12 gola si mesfushor. Folëm për 15 minuta. Më tha që kishim problem me shënimin e golave. Më pas nuk më ka kontaktuar njeri. Do kisha luajtur me qejf për Shqipërisë, pse jo”.

E shkuara

Kur ishte fëmijë, ai shiste paketa dhe e pranon diçka të tillë pa asnjë lloj ndrojtje. “ Fëmijë kam qenë si gjithë të tjerët. Kemi jetuar nga cigaret dhe i blinim në Shqipëri. I shisnim në Tuz. Më janë dashur lekët të ha bukë, të blej këpucët. Kam qenë shumë i vogël, isha 63 kilogramë dhe thoshin që nuk luaj dot. Futbollin e kisha prioritet. Babai më kë qëndruar pranë dhe më ka ndihmuar shumë”.

Vllaznia

Gjokaj në vitin 2001 ka qenë pranë kalimit te Vllaznia, kur shkodranët mblodhën më të mirët e futbollit shqiptar dhe investuan për të fituar titullin kampion, ku edhe ja dolën… “Kam qenë shumë kohë më parë. Kisha probleme me Buduçnostin. Atëherë ishte president Myftar Çela. Po bisedoja edhe me Crvena Zvezdën. Vllaznia ishte kampion dhe më donte në ndeshjet e Europës. Janë gati 20 vite më parë. Ishte njeri korrekt presidenti Çela dhe e kam falënderuar, por isha pranë Crvena Zvezdës”.

E.Saliu/Vipsport.al/