Sahiti: Kosova ka ekip më të mirë se Maqedonia e Veriut, në Korçë nuk kisha çfarë të bëja

Suad Sahiti, pasi la Skënderbeun dy vite më parë ka shëtitur në disa skuadra në Europë, ndërkohë për momentin është ndalur në Poloni te Visla Plok. Mesfushori ka folur për “Super Sport” në emisionin “Fan Zone”, ku tregon se e kanë penalizuar dëmtimet për të arritur komnbëtaren e Kosovës. Ai zbulon se ka pasur oferta nga disa klube të tjera polake sepse në verë i përfundon kontrata.

PENGESAT- Kam pasur shumë dëmtime dhe kam ardhur vonë këtu në Poloni. Jam përgatitur shumë këto kohë kur kam qenë brenda dhe jam stërvitur mirë. Shpresoj ta kap formën time e mos të kem më probleme me dëmtimet. Nesër do të marrim përgjigje të analizave për Covid-19.

BLAXHIKOVSKI- Kuba është një lojtar i madh, por ai është në klub tjetër. Ai është një emër i madh për futbollin polak dhe atë europian. Visla ka pasur shumë probleme financiare dhe Kuba i ka ndihmuar nga ana financiare e tani ka marrë aksione të klubit.

KOSOVA- Kampionati polak është i vlerësuar dhe i fortë. Dua të luaj ndeshje të mira e të kthehem të luaj për Kosovën. Kam folur dhe me kanë thënë që duhen të luaj pak më shumë minuta që të jem pjesë e skuadrës. Besoj se do të fitojmë ndaj Maqedonisë edhe pse nuk i dihet sepse është vetëm një ndeshje. Kemi një skuadër më të mirë se Maqedonia, pasi unë kam luajtur disa ndeshje atje, por shpresoj që të arrijmë të shkojmë në Europian.

E ARDHMJA- Këtu më përfundon kontrata në fund të sezonit dhe klubi më ka ofruar kontratë të re dyvjeçare. Më kanë kontaktuar edhe disa klube të tjera duke parë që do të jem lojtar i lirë. E rëndësishme është të mbyllim këtë sezon e të kalojë kjo pandemi.

SKËNDERBEU- Korça është një qytet i mirë dhe kur kam qenë aty ishim shumë kosovarë. Kam kaluar një kohë të mirë aty dhe më mungon Shqipëria. Korça është një qytet i vogël e nuk ke çfarë të bësh, ishte më ndryshe kur shkonim në Durrës. /vipsport.al/