Rustem Hoxha: Tërmeti ishte tmerr i vërtetë, virusi nuk krahasohet me të. Këtë vit dua Kupën

Teuta e këtij sezoni ka gjetur pikën e saj të fortë te prapavija, duke u ktheyr në një nga mbrojtjet më të pakalueshme të Superiores. Skuadra është në luftë për një vend në Europë sidomos falë kontributit të prapavijës, e cila ka mbajtur larg katërkëndorit të Frashërit kundërshtarët dhe meritë për këtë ka padyshim edhe Rustem Hoxha, një prej elementëve më cilësorë të këtij reparti.

Mbrojtësi, ashtu si të gjithë të tjerët ka përjetuar mes karantinës dhe stërvitjeve individuale këto dy muaj shkëputje por pranon se gjithsesi për të ka qenë me lehtë se periudha e fundit të vitit të kaluar, kur qyteti i Durrësit u trondit rëndë nga shkatërrimi i tërmetit.

“Jemi në një situatë shumë të vështirë. Rreziku i madh ka kaluar, duhet të nisim stërvitjen që të marrim veten, pasi u bë shumë kohë jashtë fushave. Mund të punojmë edhe në grupe të ndara. Ka qenë një sezon i vështirë. Kaluam tërmetin, që ishte më i vështirë se ky dhe shpresoj që të mos ketë gjëra të tjera më vonë. Tërmeti ishte një tmerr i vërtetë, virusi nuk ka krahasim me atë situatë, kemi ngrënë dy goditje. Shpresoj që të kthehemi sa më shpejt në fushën e lojës”; tha mbrojtësi.

Sipas tij; Teuta është një skuadër me ambicie europiane dhe nuk e fsheh që synon edhe trofe. “Shanset për Europë janë aty, por kemi bërë dy hapa të gabuar që nuk na lejoheshin, ndaj Luftëtarit dhe Flamurtarit. Do dëshiroja ta merrja Kupën me Teutën këtë vit, pasi kampionati më duket shumë i vështirë”, deklaroi Hoxha. /vipsport.al/