Rumenige: Marrëveshja për Kutinjon ka skaduar, nuk kishim kurrë ndërmend ta blenim për 120 milionë

Filipe Kutinjo verën e shkuar la Barcelonën dhe u transferua në Gjermani te Bajern Mynih nëpërmjet formulës së huazimit me të drejtën e blerjes për 120 milionë euro nga gjermanët në fund të sezonit aktual. Kutinjo, ashtu si në Spanjë, as në Gjermani nuk arriti të përshtatej dhe të tregonte atë që ishte te Liverpuli.

Pas kësaj, bavarezët u bindën për mosblerjen e tij dhe pritet që braziliani të kthehet në “Camp Nou”, ku në fakt nuk e presin me krahë hapur dhe po punojnë për ta larguar drejt një destinacioni tjetër. Lajmin për ikjen nga Bavaria e konfirmon edhe drejtori i Bajernit, Karl Heinz Rumenige.

“Mundësia e blerjes së Coutinhos nga Barcelona, ka skaduar. Ne nuk e ushtruam të drejtën tonë dhe tani duhet të përfundojmë programimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Pagesa e 120 milion eurove nuk ka qenë kurrë një mundësi reale për ne“, tregoi Rumenige. /vipsport.al/