Rrëfehet Dobra: I dashuroj driblimet, shembuj kam Mesin dhe Odise Roshin

Armando Dobra është një nga lojtarët shqiptarë, që ka arritur të shkëlqejë më së shumti këtë sezon. 19-vjeçari verën e shkuar me ngulm arriti të sigurojë një kontratë njëvjeçare nga Ipsuiç, por tashmë klubi anlgez po bën maksimumin për ta mbajtur edhe për shumë kohë djaloshin nga Burreli. Anësori ekstrem ka folur për herë të parë për “Super Sport” në emisionin “Fan Zone”, ku ka treguar rreth preferencave dhe karrierës së tij.

STËRVITJE NË KOHË PANDEMIE- Kemi bërë shumë pak stërvitje, 3 ose 4 herë në javë, pasi është pak e vështirë për shkak të situatës që është krijuar. Jam munduar të punoj edhe në shtëpi, por nuk është njësoj si në fushë.

DRIBLIMET- I kam shumë qejf driblimet dhe sa herë që kap topin, provoj të kaloj kundërshtarët. Kam shumë besim te vetja dhe kur kam topin në këmbë, në betejën një kundër një, jam 80-90% i sigurt që do ta kaloj kundërshtarin.

ORIGJINA- Unë jam nga Burreli, por kam lindur në Londër.

TË PREFERUARIT- Kam shumë qejf Mesin, ndërsa në Shqipëri më pëlqen Roshi, që është shumë i shpejtë. Jam tifoz me Mançester Junajtid, por sigurisht që doo e pranoja ofertën e Liverpulit, edhe pse janë rivalë.

MESI NË ANGLI- Do shkëlqente padiskutim. Këtu është pak futboll fizik, por ai është Mesi dhe bën gjithçka në fushë.

PRANIMI I NJË FTESE NGA ANGLIA- Jo, sepse unë dua të luaj për Shqipërinë. Jam shumë i bindur për zgjidhjen time dhe pres të bëhem pjesë e kuqezinjve.

FTESA NGA SHQIPËRIA U21 PËR NDESHJET E MARSIT- Po, është e vërtetë, por për shkak të koronës nuk u luajtën ato ndeshje. Ishte një hap tjetër për mua, grumbullimi te Shpresat dhe u ndjeva krenar, por do më duhet të pres për një tjetër kohë. /vipsport.al/