Rifillimi, si “shtyje ta shtyjmë”, po me kontratat çfarë do të bëhet?

Këtë javë u vendos kolegjialisht nga klubet por edhe FSHF në mbledhjen e organizuar pak ditë më parë se në 3 qershor skuadrat e Superligës do të zbresin në fushë, e madje do të luhet edhe Kupa e Shqipërisë. Pra, bëhët fjalë për një pjesë të mbetur të sezonit dhe më saktë 10 ndeshje…

Deri këtu “OK”, ndonëse kishte presidentë nga skuadrat më në zë të elitës që kërkuan që të mos fillonte pjesa e mbetur e garës dhe të jepeshin verdiktet. Por, duhej luajtur edhe pjesa e mbetur e sezonit, madje janë premtuar edhe masa që kanë një kosto nga klubet, të cilat duhet që në çdo seancë, apo çdo ditë thuajse duhet që të shndërrohen në një mini-spital…

Një rifillim i detyruar për disa dhe i pritur me shumë qejf, si nga FSHF ashtu edhe nga një pakicë klubesh, ndonëse pritet që tashmë të thotë edhe fjalën e vet Qeveria shqiptare, duke qenë se gjendja e jashtezakonshme është e shpallur deri në 23 qershor.

Por, askush nga FSHF nuk foli për pjesën më të rëndësishme. Jemi në maj, dhe dihet që klubet shqiptare operojnë me kontrata 1-vjeçare. Edhe pak ditë i ndajnë shumë klube nga përfundimi i kontratave, çfarë do të bëjnë ato me lojtarët, ndërkohë që situata e këtij sezoni është e pazakontë, por prej së cilës duhet që të nxirren mësime,  për t’u përdorur si praktikë për sezonet e ardhshëm.

Tashmë është Zyra Juridike e FSHF-së, ajo që duhet të jetë si rregullatore, ndonëse bëhet fjalë për një marrëveshje dypalëshe, mes klubeve dhe lojtarëve, që të paktën javët e mbetura të mos jenë sa për “shtyje ta shtyjmë” dhe në qershor larg qoftë të mos ketë eksod titullarësh, sepse pastaj është e qartë se çfarë fundi mund të kemi, ndoshta më keq nga sa e kishim menduar…

E.S./Vipsport.al/