Presidenti i Lionit, Aulas: Nëse nuk anulohet ai vendim, Juventusi do të na masakrojë në ndeshjen e dytë

Champions League, ashtu si shumica e kompeticioneve të tjera sportive është ndalur dhe pritet të rinisë pas mbylljes së kampionateve të 5 ligave kryesore të Europës. Nga burime jozyrtare është konfirmuar se janë paracaktuar disa data të ndeshjeve të mbetura nga faza e 1/8-ave dhe një prej tyre është edhe ajo e sfidës së dytë mes Juventusit dhe Lionit.

Presidenti i francezëve, Zhan Mishel Aulas ka deklaruar se në datën 7 gusht është vendosur të luhet ndeshja e dytë, teksa e para ka përfunduar me fitoren minimale të Lionit përmes golit të Tuzart në minutën e 31 në Francë. Në aktin e kthimit Juventusi do të tentojë përmbysjen, që sipas presidentit të Lionit do të jetë shumë e lehtë në rast se nuk anulohet mbyllja e parakohshme e kampionatit francez.

Nëse PSG dhe Lion nuk luajnë deri atëherë, Aulas paralajmëron se do të masakrohen nga kundërshtarët për shkak të gjendjes së dobët fizike. “Është konfirmuar se ndeshja jonë e dytë me Juventusin në Champions League do të luhet më 7 gusht në Torino pas dyerve të mbyllura. Nëse kërkesa jonë ligjore për anulimin e vendimit mbi mbylljen e kampionatit do të refuzohet, atëhere Lioni dhe PSG do të masdakrohen nga skuadrat, që kanë përballë në Champions”, u shpreh Aulas. /vipsport.al/