Peripecitë e rifillimit në Bundesligë: Më dhimbte koka nga maska, në fushë kujtoja vetëm protokollin

Të gjithë i janë lumturuar faktit që një kampionat i madh si Bundesliga ka filluar me shumë sukses duke kthyer disi entuziazmin e ndeshjeve. Por për vetë futbollistët nuk ka qenë edhe aq i thjeshtë një rifillim i tillë dhe Santiago Askaciar, lojtari i Herta Berlin, ka treguar se e shtuna ka qenë një ditë e vështirë, edhe pse skuadra e tij mundi 3-0 në transfertë Hofenhajm dhe ai luajti minutat e fundit të duelit.

Argjentinasi ka treguar se përshtatja me protokollin është një telash më vete. “Ishim të gjithë pak nervozë. Kemi kaluar një javë në karantinë para se të luanim, nuk mund të kishim kontakte me persona të stafit, duhet të mbanim dorashka, një maskë dhe dezinfektonim vazhdimisht gjithçka. Kur stërviteshim, shkonim me dy autobusë për të ruajtur ditsancat dhe na ndanin në katër dhoma zhveshjeje të ndryshme.

Ditën e ndeshjes kemi udhëtuar në një autobus dykatësh, ishte hera e parë që shihja një gjë të tillë. E nisa ndeshjen nga pankina e duhej të mbaja një maskë, por nuk arrija që të merrja frymë mirë. Në një moment, filloi të më dhimbte koka. Por atë mund ta hiqnim vetëm gjatë nxemjes, kishim gjithmonë dikë që na kontrollonte. Kemi kaluar nga zero rregulla në 100. Kur hyra, kisha dëshirën për të luajtur se nuk kujtoja më asgjë, u përqendrova te ndeshja, por kisha gjithmonë në mendje protokollin”, tha futbollisti argjentinas për këtë aventurë të parë pas rifillimit të ndeshjeve. /vipsport.al/