Partizani mund të zbresë në fushë, planifikohet miqësore të mërkurën

Kukësi dështoi të luante ditën e nesërme me Turbinën miqësoren e planifikuar për shkak të rregullit të izolimit të vendosur nga ana e qeverisë. Megjithatë, klubi nga Cërriku nuk dorëzohet në tentativat e tij për të luajtur me gjigantët e Superiores dhe vendos të planifikojë një tjetër miqësore.

Në lajmin e anulimit të ndeshjes me Kukësin, Turbina njofton se ka planifikuar të luajë një miqësore me Partizanin. “Për shkak të masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë, ndeshja e planifikuar ditën e nesërme është anuluar, sepse e diela është caktuar si ditë pushimi dhe asnjë automjet nuk do të lëvizë. Të mërkurën është planifikuar një ndeshje tjetër miqësore, me ekipin e Partizanit”, shkruhet në deklaratën e Turbinës në rrjetet sociale.

Mbetet të shihet nëse do të zhvillohet kjo ndeshje, pasi autoritetet nuk kanë dhënë leje të luhet gjatë kësaj periudhe, teksa javën e ardhshme Ministria e Shëndetësisë pritet të japë vendimin përfundimtar mbi fatet e Kategorisë Superiore dhe të Parës, me FSHF, që pretendon të rinisë më 3 qershor. /vipsport.al/