“Njerëz të çuditshëm dhe ushqim i shpifur”, bashkëshortja e Di Marias rrëfen vuajtjet në Mançester

Angel Di Maria u transferua te Mançester Junajtid për të lënë gjurmën e tij në futbollin anglez. Mirëpo, aventura e argjentinasit në Premier League u mbyll vetëm pas një sezoni duke qenë se përshtatja e tij në ishull nuk funksionoi aspak.

Dhe, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për pjesën brenda fushës së gjelbërt, por edhe për atë jashtë saj. Kështu, bashkëshortja e sulmuesit ka treguar se rreth Mançesterit nuk i kishte pëlqyer asgjë, ndërsa në këtë pjesë me siguri ka ndikuar edhe përpjekja e hajdutëve për të vjedhur në shtëpinë e tyre.

“Iu luta Angelit, shkojmë ku të duash por jo në Angli. Por, dreqin, një vit më vonë ne ishim në Angli. Nuk më pëlqente asgjë fare. Njerëzit ishin të gjithë të hollë dhe shumë të çuditshëm. Ishe duke ecur, por nuk e dije nëse do të vrisnin apo jo.

Ndërkohë, ushqimi ishte i shpifur, ndërsa vajzat përdornin shumë tualet dhe dukeshin sikur ishin kukulla”, u shpreh bashkëshortja e futbollistit, e cila me siguri tashmë në Francë është duke përjetuar një tjetër situatë. /VipSport.al/