Një javë të mbyllur në qendër studentore, “çlirohen” Mezani e lojtarët nga Shqipëria të Gjilanit

Te skuadra e Gjilanit më në fund mund të fillojë puna e mirëfilltë për të përgatitur kthimin në fushë. Skuadrës i janë bashkuar pjesa më e madhe e lojtarëve që kishin mbetur peng i procedurës së kalimit të kufirit nga Shqipëria drejt Kosovës, me në krye trajnerin Mezani. Ndryshe nga Shqipëria ku për karantinën e futbollistëve është mbyllur një sy, në Kosovë e kanë respektuar rigorozisht.

Kështu, si Mezani, ashtu edhe lojtarët nga Shqipëria, kanë qendruar për një javë në qendrën studentore në Prishtinë, ku i janë nënshtruar edhe testeve përkatëse dhe vetëm sot u është hapur drita e gjelbër që të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të vazhdojnë punën në klub. Konfirmimi erdhi nga vetë klubi kosovar që bëri të ditur se edhe Useini në Maqedoninë e Veriut dhe Nikaç në Malin e Zi kishin rezultuar negativë e do t’i bashkoheshin skuadrës.

“Sot, futbollistët tanë Oltion Rapa, Shkëlzen Ruçi, Gerhard Progni, Fjoart Jonuzi, Sebino Plaku, Franc Veliu dhe kryetrajneri Gentian Mezani, kanë kryer testet për COVID-19 dhe të cilët të gjithë kanë rezultuar negativ.

Testet e kryera sot, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i Kosovës, u japin dritën e gjelbërt futbollistëve dhe kryetrajnerit, që pas një jave në izolim në qendrën studentore në Prishtinë, të lirohen dhe të vazhdojnë izolimin në shtëpitë e tyre.

Gjithashtu pas testimeve të kryera ditën e djeshme në Maqedoni dhe Mal të Zi, kanë rezultuar negativ edhe futbollistët, Muhamed Useini dhe Darko Nikaç”, shkruhej në njoftimin e klubit. /vipsport.al/