Në Kosovë nuk ka dakordësi totale, katër klube janë kundër rinisjes. Mes tyre dy kryesuesit

Ashtu si edhe Shqipëria, Kosova fatmirësisht arriti ta përballojë relativisht mirë situatën e pandemisë dhe futbolli atje ka nisur të japë shenjat e para të rinisjes. Prej katër ditësh skuadrat janë lejuar të stërviten normalisht në grupe dhe të kryejnë seanca të plota trajnimi.

Negociatat me Ministrinë e Shëndetësisë janë në rrugën e duhur dhe pritet që në fillimin e qershorit, pak ditë pas nisjes së Kategorisë Superiore të zbresin në fushë edhe skuadrat e Superligës së Kosovës. Përtej kësaj, mediet kosovare mësojnë se ka pasur disa klube, që kanë qenë kundër rinisjes së kampionatit.

Më datë 15 maj klubeve të Superligës i është dorëzuar një shkresë mbi mendimin e tyre për rinisjen e kampionatit dhe kanë pasur tre ditë kohë për të menduar dhe marrë një vendim. Bëhet me dije se tetë klube kanë qenë pro rinisjes dhe katër të tjerë e kanë kundërshtuar këtë ide me argumentin se nuk ekziston infrastruktura e duhur për të luajtur në kushte pandemie.

Mes këtyre klubeve është edhe vendi i parë në renditje, Ballkani. Tre kundërshtuesit e tjerë janë Drita, Flamurtari dhe Dukagjini. Skuadra e Ismet Munishit dhe gjilanasit janë në krye të renditjes dhe pretendojnë titullin kampion, ndërsa Flamurtari dhe Dukagjini qëndrojnë në vendet e ulëta të renditjes, pa shumë pretendime. /vipsport.al/