Në Fier kanë një strategji për talentet, klubi synon marketingun

Apolonia e këtij sezoni u ka dhënë shumë hapësirë lojtarëve të rinj, sidomos atyre vendas dhe që kanë spikatur në kampiontatet e moshave, U-17 dhe U-19. Akademia fierake ka nisur që të prodhojë, dhe frytet e punës janë vënë re dukshëm sidomos në tri sezonet e fundit, kur në ekipin e parë janë duke spikatur lojtarë mjaft cilësorë.

Por, në Fier klubi ka menduar për projekte afatgjatë e tashmë për të shfrytëzuar edhe marketingun, sidomos me lojtarët me perspektivë vendas.

Ndërkohë që drejtuesit kanë afruar edhe shumë të rinj të talentuar nga Berati e Lushnja, por edhe rrethinat që luajnë me moshat, por u kanë dhënë minutazh në ndeshje të Kupës së Shqipërisë dhe në kampionat edhe në skuadrën e parë.

Duke nisur që nga kjo verë pritet që të ketë rinovime talentesh, në mënyrë që edhe nëse klubi ngjitet në elitë, t’i shesë ata, brenda ose jashtë vendit dhe të mbushë arkat.

Kujtojmë që talentet fierakë janë parë edhe në listat e përfaqësueseve, U-17 dhe U-19 por edhe U-21, çka tregon edhe punën e mirë që janë duke bërë me akademinë administratori Bregu dhe presidenti i nderit, Koço Kokëdhima bashkë edhe me hallkat e tjera në klubin bardhejeshil.

E.S./Vipsport.al/

more recommended stories