Ndodh edhe kështu, policia në Gjermani ndalon turneun ilegal të futbollit në mes të pandemisë

Zhvillimi i aktiviteteve sportive ka qenë një nga pikat më të diskutueshme të rihapjes thuajse në çdo vend që po mundohet të dalë nga masat e rrepta të vendosura për të ndaluar përhapjen e COVID-19. Për ta bërë një gjë të tillë në Bundesligë, është dashur që të respektohen disa protokolle shumë rigoroze dhe kushte higjeno-sanitare të nivelit më të lartë.

Por ndërkohë zbulohet se në Gjermani futbolli nuk është ndalur as për të tjerët dhe se janë zhvilluar turne ilegale mes lojtarësh të rinj në moshë. Një i tillë është ndaluar në mes nga policia gjermane këtë javë.

Në Oberhauzen ishin mbledhur rreth 200 lojtarë nga klube të ndryshme gjermane për të marrë pjesë në këtë aktivitet, i organizuar në mënyrë të fshehtë nëpërmjet rrjeteve sociale. Sigurisht, pa asnjë leje nga autoritetet përkatëse. Në mes të futbollistëve kishte edhe prej atyre që u përkitnin akademive të klubeve të njohura si Shalke që bëri të ditur se për ata që kishin thyer rregullat, do të kishte masa shumë të rënda, pasi nuk kishin respektuar ndalimin e aktiviteteve në mes të pandemisë. /vipsport.al/