Ndërprerja e Ligue 1 nxjerr yllin e Lion në merkato, “mësyjnë” ofertat drejt tij

Ligue 1 përfundoi para kohe për shkak të pandemisë Covid-19. Qeveria franceze ndërpreu gjithë aktivitetet sportive në vend dhe pas kësaj Lioni dhe Monako, dy klube me traditë në futbollin francez mbetën jashtë kompeticioneve europiane. Olimpiku i Lionit duket se do të jetë i detyruar të humbasë një nga yjet e ekipit për shkak të këtij dështimi.

Mediet franceze bëjnë me dije se Memfis Depaj kishte arritur një akord verbal me klubin se në rast se ekipi nuk kualifikohet në Champions League, ai do të largohej drejt një gjiganti europian. Ky lajm ka vënë në veprim disa nga skuadrat e mëdha evropiane, që po synojnë transferimin e Depaj gjatë merkatos së ardhshme. Mësohet se agjentët e lojtarit i kanë konfirmuar presidentit të Lionit, se ylli holandez mund të largohet në verë.

Dëshira e tij është të luajë në Champions League. Roma, Milan, RB Leipcig e Borusia Dortmund e duan holandezin, ndërsa në avantazh nga të tjerat duket PSG. Nga ana e tij Lion dëshiron ta mbajë me çdo kusht ish-yllin e Mançester Junaitid, por nëse ai vendos të largohet, atëherë klubi nuk do e pengojë. Lion synon të fitojë rreth 45 milionë euro nga ikja e holandezit. /vipsport.al/