“Mesi i Kosovës”, Zhegrova një profil shumë i pëlqyer në Francë. E ndjek edhe Marseja

Edon Zhegrova nuk do ta vazhdojë karrierën tek Bazeli, por do i duhet të kthehet te belgët e Genk. Zvicerianët e kishin lojtarin në huazim, por për shkak të krizës ekonomike që solli me vete koronavirusi nuk kanë mundësi të blejnë kartonin e atij që konsiderohet si “Mesi i Kosovës”. Mirëpo, për 21-vjeçarin nuk është fundi i botës sepse talenti i tij është i padiskutueshëm dhe tërheq vëmendjen gjithnjë.

Kështu, siç raportohet nga media franceze, Zhegrova është nën fokusin e dy skuadrave të Ligue 1. Bëhet fjalë për Lilë dhe Marsejën. Dy klube shumë të rëndësishme franceze dhe që në rast se mund të konkretizohej një transferim, atëherë do i jepte një tjetër pamje karrierës së Zhegrovës. Ndërkaq, për të ardhmen e sulmuesit ka folur edhe menaxheri i tij, Mark Van Oselar. “Edoni është një lojtar që preferohet nga shumë klube.

Në listë janë klube anlgeze, italiane dhe franceze, të cilat janë të një niveli të lartë. Të luante në Francë do të ishte një mundësi shumë e mirë, sepse ai e vlerëson shumë këtë kampionat dhe mendon se do arrinte në një nivel më të lartë me një klub që ka një projekt të bukur. Zhegrova është si një diamand me shumë mundësi përmirësimi”, u shpreh menaxheri Van Oselar. /VipSport.al/