Mesi duket i dorëzuar për Champions League: Nëse luajmë si para ndërprerjes nuk e fitojmë dot

Duke qenë se janë mbushur pesë vite nga trofeu i fundit, te Barcelona Liga e Kampionëve është kthyer në një synim të madh. Aq më tepër që blaugranët kërkojnë të vendosin në vend reputacionin pasi në dy sezonet e fundit janë eliminuar me përmbysje që do të mbahen mend, fillimisht nga Roma e në vitin e kaluar nga Liverpuli.

Mirëpo, katalanasit nuk kanë pasur një performancë mbresëlënëse në këtë sezon ndaj larguan trajnerin Valverde në janar për të afruar Kike Setien. Megjithatë, loja e Barcelonës nuk ka pësuar shumë ndryshim, e në këtë formë edhe ylli i saj, Lionel Mesi shfaqet pesimist mbi mundësinë për të triumfuar në Champions.

“Duke luajtur ashtu siç kemi bërë para ndërprerjes, besoj se duket qartësisht se nuk mund të fitojmë Ligën e Kampionëve. Nuk dyshoj në skuadrën që kemi dhe nuk dyshoj se mund të fitojmë të gjithë titujt që mbeten, por nuk mund ta bëjmë në mënyrën që po luanim. Të gjithë kanë mendimet e tyre dhe iu respektohet mendimi.

I imi është i bazuar në faktin se kam pasur fatin të luaj në Champions çdo sezon dhe e di se nuk është e mundur ta fitojmë në mënyrën që kemi qenë duke luajtur. Ndoshta kjo pauzë do të na bëjë që të përfitojmë, por do ta shohim nëse na lejojnë të fillojmë kompeticionet”, u shpreh argjentinasi. /VipSport.al/