Mbrojtësi i Kukësit: Diçka e mirë që rikthehemi, por të tregohemi të kujdesshëm

Këtë sezon ka qenë një nga titullarët e padiskutueshëm të Kukësit. Bëhet fjalë për mbrojtësin Erhun Obanir, i cili së fundmi ka dhënë një intervistë për “Tv Klan”, duke theksuar se është diçka e mirë që do të rikthehen të stërviten e më pas për të luajtur, por gjithsesi duhen treguar të kujdesshëm  dhe se e mira do të ishte të bëhej testi. Sa i përket titullit, Obanor shprehet se do të përpiqen ta fitojnë.

“Është një situatë e vështirë për të gjithë, jo vetëm për futbollin. Duhet të qëndrojmë në shtëpi, të jemi të sigurt. Unë stërvitem në shtëpi, duke bërë disa ushtrime për të ruajtur paska formën fizike dhe me udhëzimet e trajnerit. Kur të kthehemi do të jetë diçka e mirë, por duhet të tregohemi të kujdesshëm për të mos u infektuar, pasi jeta është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.

Do të jetë e vështirë për këdo, mendoj se do të ishte më mirë që të gjithë të bënin teste para se të niste, që të kuptohet se cili është në rregull dhe cili jo. Kjo është një mënyrë për të shmangur infektimin”, tha fillimisht 24-vjeçari. Nuk kishte si të mos fliste për titullin, ndërsa hapur e thotë se shanset për përmbysjen e Tiranës janë.

Titulli- “Jemi në vendin e dytë pas Tiranës, 9 pikë pas dhe janë 10 takime. Kemi shansin të përpiqemi që të fitojmë titullin. Duhet t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. Kjo është e rëndësishme për klubin dhe për vetë lojtarët”, u shpreh Obanor. /VipSport.al/

more recommended stories