Lushaku: Infektimi i Artetës anuloi kalimin te Arsenal, ata kanë akoma kontakte me mua

Ismet Lushaku është një nga talentet e spikatur kosovar dhe në Suedi, ku aktivizohet me skuadrën e AFC Eskilstuna ka arritur të tregojë cilësi të larta, aq sa ka nxitur interesin konkret të Arsenalit. Vetë 19-vjeçari tregon se “Topçinjtë” kishin arritur marrëveshjen me të për të zhvilluar një provë, por gjithçka u anulua kur u mor vesh se trajneri i Arsenal, Arteta ishte infektuar me Covid-19.

Ai pritej të nisej për në Londër për të kaluar te Arsenal U23, por klubi anglez vlerësoi të qëndronte në Suedi, ku do ishte më i sigurt se në Angli. Një vendim më se i drejtë nga ana e klubit nga Londra, pasi Anglia është një nga shtetet më të prekur në mbarë botën nga Covid-19, ku çdo ditë raportohen qindra viktima.

“Ata më kanë vëzhguar për një kohë të gjatë dhe merkaton e shkuar dëshironin të më kishin në gjirin e tyre. Kështu, unë pata një ofertë për tu stërvitur me ekipin e Arsenal U23 vetëm tre ditë përpara se trajneri Mikel Arteta të rezultonte i prekur me Covid-19. Pas kësaj ata më thanë se askush nuk mund të hynte në Angli për ndeshje provuese dhe unë duhej të qëndroja në shtëpi për të shmuangur riskun për tu infektuar e më pas t’ia shpërndaja personave të tjerë atje. Që atëherë nuk ka pasur diçka konkrete, por ka vazhdimisht kontakte es klubit të Arsenal dhe agjentëve të mi”, deklaroi mesfushori me tipare mbrojtëse. /vipsport.al/