Luftëtari ndryshe nga klubet e tjerë, të gjithë u nënshtrohen testeve. Flet trajneri Novi

Skuadrat e Superiores më në fund janë rikthyer të stërviten normalisht falë negociatave të Federatës Shëiptare të Futbollit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, me këtë të fundit që duket se nuk do e mbyllë rrugën e rinisjes më 3 qershor, datë e kërkuar nga FSHF. Gjatë bisedimeve me qeverinë një çështje kryesore, por e padiskutuar janë testet.

Thuhet se nuk ka numër testesh për të gjithë Superioren dhe lojtarët nuk do u nënshtrohen atyre analizave para se të nisin të luajnë. Ndryshe ndodh te Luftëtari, që mesa duket ka gjetur një mënyrë për të testuar lojtarët e saj. Trajneri Novi ka folur në lidhje me këtë çështje dhe ka treguar se testimet janë bërë, pasi Luftëtari ka disa lojtarë, që vijnë nga qytete të cilësuar si zona të kuqe.

“Jemi zonë e gjelbër dhe kemi sportistë të ardhur nga zona të tjera, të kuqe, si nga Shkodra, Durrësi e Tirana. Na është ofruar kujdesi i epidemiologjisë së spitalit, që të bëjmë tamponët. Kam parë ndeshjet në Gjermani dhe ka shumë dëmtime e probleme. Duke pasur parasysh ku jemi ne me Gjermaninë, besoj se do të kemi shumë probleme edhe ne gjatë fillimit të kampionatit”, deklaroi tekniku i gjirokastritëve. /vipsport.al/