Lokomotiva zhvillon miqësore, një nga “Banda e Shqiptarëve” vendimtar për fitoren

Kroacia është një nga vendet ballkanike më të avancuara përsa i përket rinisjes së futbollit. Në vendin ku luajnë disa legjionarë tanët, kampionati do të rihapë siparin më datë 30 maj. Stërvitjet kanë nisur prej kohësh dhe lojtarët kanë arritur të rimarrin një pjesë të mirë të formës së humbur gjatë qëndrimit të stërgjatur në shtëpi.

Miqësoret kanë marrë stafetën e stërvitjeve intensive dhe është klubi i “Bandës së Shqiptarëve”, Lokomotiva Zagreb, që ditën e sotme ka zhvilluar një test. Kundërshtari ka qenë skuadra e Varazdinom. Ekipi nga kryeqyteti ka arritur të fitojë këtë ndeshje dhe një kontribut të madh në këtë sfidë e dha edhe një shqiptar.

Enis Çokaj ishte autori i golit të parë për Lokomotivën, duke i hapur rrugën e fitores ekipit të tij. Golin tjetër për ta e shënoi Toliç. Te Lokomotiva luajnë pesë shqiptarë (Uzuni, Tuçi, Mersinaj, Çokaj, Kastrati), që kanë dhënë një kontribut jo të vogël në sezonin e mirë që skuadra po zhvillon, duke mbajtur vendin e dytë në kampionatin kroat, pas gjigantëve të Dinamos. /vipsport.al/