Lila: Krijuam fond dinjitoz për futbollistë dhe ish-futbollistë në nevojë, na duhet kohë për përgatitje

Kreu i Sindikatës së Futbollistëve, Andi Lila është munduar së bashku me anëtarët të ndihmojnë futbollistë dhe ish-futbollistë në nëvojë në këto kohë të vështira ekonomike prej koronavirusit. Mbrojtësi i Tiranës tregon për “Top Channel” se kanë krijuar një fond dinjitoz, ndërsa kërkon t’i ruajë emrat e personave që ka ndihmuar.

Sakaq, Lila thekson se gjatë karrierës së tij nuk i kishte ndodhur më parë të qëndronte dy muaj pa aktivitet dhe tha se nëse futbolli rikthehet atëherë duhen të paktën dy javë që lojtarët të mund të marrin disi veten, për të mos rrezikuar më pas dëmtime.

“Ne si Sindikatë kemi marrë nismën që të ndihmojmë futbollistët dhe ish-futbollistët në nevojë. Ne kemi marrë kërkesa dhe kemi krijuar një fond minimal dhe dinjitoz për t’i ardhur në nevojë. Kjo është kohë e vështirë dhe shpresojmë që të mos zgjasë shumë. E kemi organizuar këtë nismë humintare pasi kishte vërtet nevojë, por nuk i kemi bërë publik emrat e tyre.

Duke qenë se futbollistët kanë qenë të izoluar, është një problem i madh për ta. Unë kurrë nuk e mbaj mend veten time që në 20 vite karrierë të rri 2 muaj pushim fare. Sigurisht që ne bëjmë ato ushtrimet tona me mundësitë që kemi, por është shumë e vështirë. Shpresojmë që me nisjen e sezonit të kemi një periudhë kohore për dy javë që të përgatitemi, pasi ndryshe do të ketë probleme fizike. Gjithçka duhet të jetë graduale, edhe rinisja e sezonit”, u shpreh Lila. /VipSport.al/