Largimi i Fetel nga Ferrari hap skenare të reja, Riçardo ndryshon skuderi

Sebastian Fetel dhe skuderia Ferrari anunçuan pak ditë më parë se në fundin e këtij sezoni do të ndanin rrugët. Piloti gjerman ka zhgënjyer në këto sezone me kokëkuqjen, edhe pse duhet thënë se marka italiane nuk ka qenë në lartësinë e Mercedesit. Në këtë formë, katër herë kampioni i botës pritet të provojë një aventurë të re, edhe pse ende nuk ka një indicie se ku do e vazhdojë karrierën.

Megjithatë, ikja e tij nga Ferrari ka hapur skenarë të rinj dhe tashmë pasuesi i tij te Ferrari do të jetë Karlos Sainz. Spanjolli i Meklaren ka mundësinë e artë të karrierës për të treguar talentin e tij në një tjetër dimension.

Ajo që e bën më të sigurt tratativën mes Ferrarit dhe Sainz, është fakti se Meklaren ka firmosur për sezonin e ardhshëm me Daniel Riçardo. Australiani ka firmosur një kontratë dyvjeçare nga e cila do të përfitojë 31 milionë euro dhe do largohet nga Renault për të formuar sezonin e ardhshëm dyshen e Meklaren me Lando Norris. /VipSport.al/