Lajmi i papritur që ndryshon Formula 1: Fetel mbyll kontratën me Ferrarin!

Viti 2020 do të jetë i fundit i Sebastian Fetel në drejtimin e Ferrarit. E përditshmja BILD ka zbuluar nga persona pranë pilotit gjerman se vendimi për të mos rinovuar kontatën pritet të zyrtarizohet gjatë ditës së martë nga të dy palët.  

Fetel është pjesë e Ferrarit që në vitin 2015 dhe tashmë kishte ardhur koha që të diskutohej rinovimi i akordit me italianët. Por palët nuk kanë gjetur marrëveshjen e re dhe në fund të këtij seozni që do të zhvillohet i cunguar për shkak të pandemisë, Fetel do t’i japë lamtumirën Ferrarit.

Shkak i këtij vendimi është fakti se në skuadër janë të bindur se ai nuk është më piloti që kërkonte me çdo kusht të fitonte titullin kampion. Kjo shihet nga rezultatet e edicionit të kaluar, ku ai u la pas edhe nga shoku i skuadrës, 22-vjeçari Sharl Leklerk, duke mbyllur kampionatin në vendin e pestë. Vitin e  kaluar të dy pilotët u përplasën shpesh në pistë dhe duket se Ferrari ka zgjedhur të mbështesë të riun duke e cilësuar si pilotin e të ardhmes. /vipsport.al/