La Liga njofton klubet për datën e fillimit: Kemi 5 lojtarë pozitivë, stërviten në shtëpi

Do të duhet të presim një muaj për të parë në fushë skuadrat e La Liga dhe La Liga 2, gjiithmonë nëse gjithçka shkon mirë deri atëherë. Sipas mediave spanjolle, organizatorët e kampionateve kanë njoftuar klubet se 12 qershori është data kur pritet të kthehen përsëri në fushë dhe duhet të bëjën përgatitje deri atëherë për të qenë në formën më të mirë, ndërsa do të vzhdojnë testimet për të përcaktuar se kush është i infektuar dhe duhet izoluar nga pjesa tjetër.

Testet e fundit kanë përcaktuar ndërkohë se janë 5 lojtarë të infektuar të cilët janë dërguar menjëherë në shtëpi. Konfirmimin e ka dhënë La Liga nëpërmjet një komunikate zyrtare, duke bërë të qartë se këto raste ishin identifikuar në të dy kampionatet bashkë. Sipas saj, testet e fundit ishin kryer pikërisht për këtë arsye, për të parë se kush ishin asimptomatikët brenda skuadrave.

Sipas saj, të gjithë lojtarët që rezultonin pozitivë, edhe pse asimptomatikë, duhej të qëndronin në shtëpitë e tyre dhe të stërviteshin individualisht siç kishin bërë deri pak ditë më parë, por me vëzhgimn e reptë të mjekëve. Ata do qëndronin në pritje të provave të reja dhe derisa të rezultonin negativë në dy teste të ndryshme, nuk do të lejoheshin të ktheheshin në stërvitje me pjesën tjetër të ekipit.

Ndërkohë, klubeve iu bë e qartë se nuk duhej të lehtësonin në asnjë mënyrë masat e rrepta higjeno-sanitare “për të ruajtur këtë numër shumë të ulët infeksionesh”. /vipsport.al/